Kryesore, Ndodhi sot, Te Gjitha

U plagos sot nga polici, i shumëkërkuari Orges Bilbili dyshohet se ishte qitësi për atentatin e prokurorit Ndoja

Ky që shihni në këtë foto është Orgest Bilbili, njeriu i arrestuar mesditën e sotme në rrugën “Sitki Çiço”, në Tiranë dhe që njihet si lidhje e afërt me “Julin e Pashakos” në Lushnjë.

Nuk dihet se ku ishte destinacioni i Bilbilit ditën e sotme, por me vete ai kishte një armë zjarri, ku tashmë janë ngritur dyshime se, killeri mund të përgatitej për një vrasje të radhës.

Pa ndjekje operative, pa forca të shumta në teren, pa ndihmën e RENEA-s, është kapur në Tiranë krejt rastësisht një ndër njerëzit kryesorë që kërkohet nga drejtësia Shqiptare dhe i dyshuar në disa krime të rënda, vrasje, Orgest Bilbili.

Për kapjen e Bilbilit dhe mikut të tij Haxhiu, policia kishte vendosur një shpërblim financiar prej 50 mijë euro, për këdo që jepte informacion të saktë për këtë shtetas. Por sot ka mjaftuar një polic i vetëm që të bëjë mrekullinë dhe të parandalojë një killer, si Orgest Bilbili, i cili edhe pse e ka kërcënuar me armë policit, duke i pohuar se do e qëllojë, sërish efektivi i policisë e ka neutralizuar, duke e plagosur në këmbë dhe më pas e ka arrestuar.

Polici ka konstatuar një person me kapuç në kokë dhe menjëherë ka vepruar, pasi i ka bërë përshtypje ky njeri që ecte në rrugë me kapuç leshi në kokë, ndërkohë moti ka qenë i ngrohtë. Ai i është afruar këtij personi dhe i ka kërkuar autorizimin për lëvizje njëkohësisht dhe kartën e identitetit. Por personazhi që mbante në kokë kapuç leshi, i ka pohuar se nuk kishte autorizim dhe ka filluar të mbajë distancë me policin dhe më tej të largohet me vrap.

Nga pas i është vënë punonjësi i policisë,i cili i ka kërkuar të ndalojë por Bilbili, i ka nxjerrë një armë pistoletë, duke e kërcënuar se nëse e ndiqte, do e qëllonte menjëherë. Efektivi i policisë ka qëlluar njëherë në ajër dhe mandej një herë të vetme në këmbë, duke bërë që Bilbili të rrëzohet në trotuar dhe mandej të arrestohet nga punonjësi i policisë.

Atë që nuk e bëri dot për disa herë Grupi i Operacioneve Speciale, RENEA dhe FNSH, sot e bëri një polic i vetëm, dhe padyshim i takon atij i gjithë shpërblimi financiar që policia kishte vendosur për kapjen e këtij personazhi kaq të rrezikshëm.

Bilbili strehohej në Tiranë pa u shqetësuar nga askush, ndërkohë që FNSH dhe RENEA, ka kryer disa operacione pa rezultat për kapjen e Bilibilit dhe Haxhiut në fshatrat e Lushnjës. Haxhiu dhe Bilbili, prej disa vitesh ishin në kërkim, ndërkohë që kohët e fundit policia e shtetit, kishte ngritur dyshime të forta se kjo dyshe, vepronte në disa qytete, si killera me pagesë. Haxhiu dhe Bilbili janë shpallur në kërkim me një vendim të gjykatës së Lushnjës për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit.

Ndërkohë objektivi i atentatit ishte në fakt, nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, i cili shpëtoi mrekullisht. Për këta ngjarje ata nuk mundën të arrestohen nga policia e Lushnjës dhe ajo e Fierit, ndërsa më pas këto dy personazhe dyshohet shumë se kanë ekzekutuar Besmir Kidën dhe biznesmenit Ardian Boriçit, i cili u vra në lokalin e tij në Lushnjë. Orgest Bilbili, rezulton i dënuar në mungesë për drogë me 7.4 vite burgim, ka njohje dhe dyshohet se është pjesë e grupit shoqëror të Julit të Pashakos, në Lushjë.

Policia ka ngritur dyshime për Bilbilin, se së bashku me Lart Haxhiun, ishin qitësit kryesorë në atentatin kundër Landi Muharremit, prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, dhe shoferit të tij Andi Maloku.

Por për këtë ngjarje, ende nuk ka asnjë masë sigurimi për këta dy persona, por vetëm një të arrestuar dhe ai është Redjan Rraja. Bilbili është nipi i Luan Bilbilit, i vrarë në 18 korrik 1998 në vendin e quajtur “Kodra e Ullinjve” në Lushnjë, nga anëtarët e bandës së Aldo Bares. Por Bilbili, konsiderohet si shoku i ngushtë dhe bashkëautor në disa krime në Lushnjë me, Lart Haxhiun, një tjetër personazh i botës së krimit në këtë qytet që është kthyer në makth për banorët e Lushnjes.

Lart Haxhiu ishte fëmijë i mitur kur banda e drejtuar nga Aldo Bare, i dogji shtëpinë dhe disa vite më vonë në 2005 i vrau dhe vëllanë, Klodian Haxhiu. Mirëpo vitet kaluan dhe minorenët Bilbili dhe Haxhiu u rritën dhe prej gati 10 vitesh, janë kthyer në gjakatarë të pamëshirshëm, duke goditur njëri pas tjetrit anëtarët e bandës së Lushnjes, që drejtohej nga Aldo Bare, tashmë në burg. Dyshja Haxhiu-Bilbili, që prej disa vitesh po hakmerret në Lushnjë, akuzohet për një seri krimesh.

E ndërsa sot në pranga ka rënë Orgest Bilbili, në arrati dhe mjaft aktiv duket se vijon të jetë miku i tij i ngushtë Laert Haxhiu. Në ditët në vijim Bilbili do dalë para gjykatës së Tiranë për t’u njohur me akuzën e ngritura për “Kanosje me armë ndaj punonjësit të policisë” dhe vrasje të kryer në dëm të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në Lushnje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *