Kryesore, Ndodhi sot, Te Gjitha

Plagosje me armë zjarri në Tiranë në zonen e Xhamllikut

Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë ditës së sotme në Tiranë. Një qytetar nuk i është bindur urdhrit të policisë për të nxjerrë dokumentin identifikues, ku në ndjekje e sipër ka nxjerrë armën nga një çantë duke kërcënuar me jetë një efektiv të forcave Shqiponja. Në një komunikim për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, tha se efektivi është detyruar të qëllojë ndaj personit të dyshuar, duke e lënë të plagosur, ndërkohë që një plumb rastësor mori edhe një qytetare që ndodhej pranë zonës.

Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë. Jaupi tha se personi në fjalë dyshohet të jetë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por pritet t’i merren gjurmët e gishtërinjve për të faktuar dyshimet e tyre, që aktualisht siç ai tha lidhen me një person në kërkim.

“Një punonjës policie i cili kërkon dokumentet e identifikimit një qytetari, nuk i është përgjigjur. Në momentin që i ka kërkuar çfarë keni në çantë, qytetari është larguar me vrap në drejtimin pas nesh, punonjësi i policisë e ka ndjekur, dhe sapo kalon kthesën e parë qytetari i ka drejtuar armën punonjësit të policisë, ai e ka paralajmëruar ulni armën se do iu qëlloj dhe ka qëlluar një herë në ajër.

Qytetari ka lëvizur me vrap, dhe në kohën që punonjësi i policisë e paralajmëron përsëri të ulë armën të dorëzohet, ai ka drejtuar armën dhe i ka thënë policit po të qëlloj nëse nuk largoheshin. Punonjësi ka qëlluar në drejtim të tij dhe e ka plagosur, aktualisht ndodhet në spital, është plagosur në këmbë, por akoma nuk kemi një informacion të saktë në afërsi të kësaj skene ka qenë një qytetare që edhe ajo ka marrë një plumb në këmbë, nga punonjësi i policisë.

Nuk e kemi identifikuar akoma por dyshimet janë se kemi të bëjmë me një të rrezikshëm të shpallur në kërkim. do ju japim informacion sapo ti marrim gjurmët. Punonjësi i policisë është me përvojë i ekipit shqiponjave ishte i vetëm, dhe ka vepruar në bazë të procedurave standardë të punës, ne kemi ngritur grupin e punës për identitetin e personit që pak a shumë kemi një emër por do jua bëjmë me dijë me vonë.

Momentalisht janë jashtë rrezikut të dy, në spitalin e traumës po punojnë mjekët. Efektivi nuk është qëlluar, është në drejtorinë e policisë Tiranë për veprimet procedurale”, tha drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *