Te Gjitha, Unë shkruaj

Partia nuk mund t’i zgjidhë problemet e qeverisë

Erjon Uka/ Partitë e mëdha duan të bëhen gjithnjë e më të mëdha. Mund të duket si një dëshirë legjitime, si një objektiv i natyrshëm. Por problemi madhor lidhet me vazhdimin e politizimit të shoqërisë, konsolidimin e sistemit të partitokracisë dhe strukturave vertikale të qeverisjes.

Që prej ardhjes në pushtet, kryeministri Edi Rama ka kërkuar vazhdimisht të rrisë anëtarësinë e Partisë Socialiste. Para katër vitesh, ai madje publikisht kërkoi që anëtarësia të kapte shifrën e 150 mijë anëtarëve. Një gjë të tillë, megjithëse nuk e përmend më me shifra, e kërkon thuajse në çdo takim, kryesisht gjatë fushatave elektorale apo momenteve të vështira qeverisëse (si një taktikë për të treguar forcën e numrave). Në këto takime kërkohet që gjithkush të referojë një mik, të bëjë një shpërndarje në rrjetet sociale apo një sugjerim duke thënë se kjo forcë politike është e vetmja që mund t’u zgjidhë njerëzve problemet e përditshme. Edhe në eventin e fundit, mbi zgjedhjet e brendshme në parti, nga drejtues të PS-së u kërkua që anëtarësia të vijojë të rritet në numra. Të njëjtën gjë, në kohën që ishte në pushtet, e kërkonte dhe e propagandonte edhe Sali Berisha, megjithëse jo me mjetet e komunikimit virtual që disponohen sot.

Shembull i sistemit të partitokracisë, me krijimin e bindjes se problemet mund t’i zgjidhë partia e jo qeverisja e mirë në të gjitha nivelet, është vetë Platforma e Bashkëqeverisjes, kryefjala e suksesit të punës së mazhorancës së sotme. Një model i mirëfilltë i qarkut të shkurtër të zgjidhjes së problemeve, ku komunikimi qytetar-kryeministër tejkalon çdo hallkë institucionale. Është si një numër urgjence, një alarm zjarrëfikësje apo një telefonatë e ngutshme në polici. Dikush mund të pyesë, “E çfarë të keqe ka këtu përderisa problemet zgjidhen?” Sigurisht që për atë individ që arrin të marrë të drejtën e tij, për të cilën është rropatur kush e di sa kohë e ç’dreq e di se në sa dyer, është qetësi për mendjen dhe ngushëllim për shpirtin. Por kjo mund t’i shërbejë pushtetit, e jo shtetit, sepse ndërtohet një mekanizëm i përkohshëm “urgjence” dhe jo një sistem i qëndrueshëm.

Së dyti, mekanizmi i masivizimit të partive në numra sasiorë natyrisht çon në zvetënimin e ideve brenda këtyre grupimeve, qoftë edhe të ideologjive përkatëse. Kjo duket fare mirë edhe në politikën e sotme, ku e majta merr iniciativa liberale dhe neo-liberale, e djathta për forcën e zakonit të kundërshtimit i sulmon duke rënë ndesh me shumë parime të saj, ndërsa shumë parti të tjera të vogla e kanë të lehtë të kapërcejnë kahet politike pa asnjë lloj rezistence nga baza. E sigurisht që rezistencë nuk mund të ketë kur anëtarësimet dhe promovimet nuk janë bërë prej ideve, por prej personave.

E vërteta e shëmtuar është se Shqipëria ka një popullsi tërësisht të politizuar. Jo thjesht në mentalitet e në biseda kafenesh, por edhe në shifra. Duke iu referuar raportimeve të mediave për referendumin e fundit që zhvilloi Partia Socialiste në vitin 2017, ajo ka 82 mijë anëtarë, pra rreth 2,82% e popullsisë është anëtare e deklaruar e një partie. Nga ana tjetër, në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, kishin të drejtën e votës rreth 103 mijë anëtarë, pra 3,55% e popullsisë shqiptare. Nuk mbetet pas as LSI, ku në zgjedhjet të brendshme të kësaj partie në vitin 2013, antarësia i kalonte 45 mijë qytetarë, ose 1,55%. Pra, referuar vetëm tre partive të mëdha, 8% e popullsisë ose 230,000 qytetarë janë zyrtarisht anëtarë partie.

Duke hedhur një sy në partitë europiane, vetëm Partia Socialiste e Portugalisë mund ta kalojë shifrën e 0,8% anëtarë të popullsisë. Partia Laburiste në Angli ka 512 mijë anëtarë, në 66 milionë banorë, pra 0,77% të popullsisë dhe Partia Konservative ka 124 mijë anëtarë ose 0,18%. Në Itali, partia e majtë, Partia Demokratike ka 374 mijë anëtarë, pra 0,62% të popullsisë. Partia Socialdemokrate e Gjermanisë numëron 437 mijë anëtarë ose 0,53% ndërsa të djathtët e CDU-së 426 mijë anëtarë, pra 0,52%. Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjollë ka 187 mijë anëtarë ose 0,4% të popullsisë.

Uinston Çurçill thoshte se burra shteti janë ata që mendojnë jo për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme. Dhe jo me fjalë, por me vepra. Kjo sepse nëse ka një gjë që na mban më larg nga Bashkimi Europian nuk është ekonomia, pasi edhe në ditët e saj më të mira PBB-ja shqiptare do të jetë sa një çikërrimë e një landi gjerman. Ajo që na mban larg Europës është kultura në të gjitha dimensionet e saj, duke penguar shtetformimin solid.

Fatkeqësisht politika e sotme ende nuk po e promovon një kulturë të re dhe fakti që partitë edhe kur janë në pushtet kërkojnë gjithmonë të zgjerohen në anëtarësi është shembulli më i mirë i kësaj. Partia nuk është shpëtimi. Parti më të mëdha në numra do të thotë shtet më i dobët, sistem më i sulmueshëm, drejtësi më pak. Por për ta ndërtuar sistemin, duhen liderë me vizion dhe jo pushtetarë që, siç thoshte Lech Walesa, dalin në televizon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *