Pushteti, Te Gjitha

Zgjedhjet më 30 qershor por fushata elektorale ka nisur para kohe, KQZ të marrë masa

Zgjedhjet janë kthyer në betejën e radhës për partitë, duke e çuar vendin drejt një krize politike. Pas publikimit të disa përgjimeve për shit-blerje votash, si pjesë e dosjes “339”, ku përfshiheshin disa zyrtarë të Partisë Socialiste, opozita hoqi dorë nga mandatet dhe ka kërkuar një qeveri tranzitore, e cila do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ndërsa maxhoranca, e vendosur, deklaron se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor e nuk do të shtyhen, brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta.

Pikërisht, mes qëndrimeve të kundërta për shtyrje ose jo të afatit të zgjedhjeve, OSBE/ODIHR si edhe Komisioni Qendror Zgjedhor po përgatiten për monitorimin e tyre.

Neni 77 i Kodit Zgjedhor përcakton se “fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve”. Por, subjekte të veçanta në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, kanë nisur tashmë fushatën elektorale dhe zhvillojnë aktivitete publike në funksion të saj.

Partia Socialiste prezantoi publikisht më 23 mars në një aktivitet elektoral kandidatin për Tiranën dhe listën e kandidatëve për në këshillin bashkiak. Mazhoranca në qeveri, ka vijuar gjatë javë të fundit të prezantojë kandidatët për kryetarë bashkie në disa bashki të vendit.  E madje, në takimet e zhvilluara për prezantimin e kandidatëve për kryetar bashkie, si në rastin e Elbasanit ku kryeministri Edi Rama prezantoi prefektin Gledian Llatja, nuk ngurroi të përmendte faktin se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Një situatë e tillë, ku zgjedhjet propagandohen dhe Kodi Zgjedhor nuk respektohet, institucionet përkatëse duhet të marrin masa konkrete. Vetë Këshilli i Ministrave vendosi më 10.05.2019 ngritjen e Task Force “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2019”. Madje, edhe sipas nenit Neni 172 pika 1 dhe nenin 172 pika 1 i njihet e drejta dhe përgjegjësia KQZ-së të marrë masë administrative me gjobë për shkelje të ndonjërit prej parimeve të përgjithshme të përcaktuara në nenet e cituara të Kodi.

Por, puna e këtyre institucioneve kufizohet vetëm  në monitorimin 30 ditë apo 45 ditë gjatë fushatës elektorale. Teksa pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, aktivitetet në funksion të saj po zhvillohen duke shkelur edhe Kodin Zgjedhor, është me rëndësi që institucionet përgjegjëse të ndryshojnë praktikën e monitorimit.

Monitorimi vetëm 30 apo 45 ditor i fushatës, nuk përbën realisht monitorim të të gjithë procesit elektoral, por vetëm të fazës përmbyllëse të tij. Kësisoj monitorimi serioz duhet të kishte filluar ditën kur Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin për datën e zgjedhjeve lokale./JOLA LUZAJ

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *