Kryesore, Ndodhi sot, Te Gjitha

TABELA/ ISP: Pa media të lirë e të pavarur, shoqëria është më pak demokratike

 

Dita e lirisë së medias. Shqipëria vijon të jetë një vend me sistem hibrid, dhe media është pjesë e dyfishtë e këtij sistemi: ushqyese e vlerave por edhe e defekteve të tij. Vitet e fundit mediat në Shqipëria kanë pësuar ndryshime të mëdha, sidomos në sasi dhe imazh: kemi disa qindra media të reja sociale, portale dhe së fundi edhe ERTV, – të vetmin kanal televiziv kryeministror në Europë; lideri i mazhorancës dhe i opozitës janë bërë edhe gazetarë, – filmojnë veten live duke bërë deklarata që më pas shpërndahen në të gjitha mediat; qytetari digjital vijon të jetë “gazetari” më me shumë lajme në ditë e javë, të gjithë ministrat e zyrtarët e lartë kriter vlerësimi të punës kanë numrin e like në FB dhe share në rrjetet sociale, 99% e pronarëve të medieve kanë edhe firma ndërtimi dhe janë ndërtues të dalluar në fshatra turistike e qendra qytetesh nga Velipoja në Sarandë, por në fund të ditës vetëm 30% e gazetarëve marrin rroga mujore të rregullta dhe gazeta më e madhe ma tirazh më të vogël sesa numri i policëve në Tiranë.

Tabela ilustron kurbën e lirisë së medias dhe pavarësisë së saj gjatë 25 viteve të fundit, – hartuar nga Freedom House, institucioni më i njohur në botë për vlerësime të tilla. Kurba flet vetë, – kemi kuotën 4.25 nga mesatarja 1.5 e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, – pra të paktën 3 herë më larg në standarde.

Po të pyesësh qeverinë ata bëjnë fajtor median, po të pyesësh opozitën ata bëjnë fajtor qeverinë, po të pyesësh median ata bëjnë fajtor politikanët, po të pyesësh qytetarët ata bëjnë fajtor të gjitha palët e tjera. Të gjithë kanë pak të drejtë dhe të gjithë janë njëherësh pak fajtorë, por me rëndësi, – Shqipëria nuk ka sot asgjë për të festuar. Për më tepër do të ishte më mirë, që së paku sot të mos kishte asnjë kronikë nga lajmet e gatshme propagandistike të politikës, ashtu edhe asnjë lajm nga lajmet e porositura të medias për politikanë apo gjoba & reklamë për biznesmenët dhe të tjerët. Një ditë pa lajme paradoksalisht është një ditë më e qetë në Shqipëri, por nuk duhet harruar në asnjë rast se një vend pa media të lirë e të pavarur është një shoqëri më pak e kulturuar, më pak e informuar, më pak funksionale dhe natyrisht edhe më pak demokratike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *