Ndodhi sot

Protesta për ndërtimin në Universitetin Bujqësor, Veliaj-Malltezit: Jepi gaz

Pedagogë dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës kanë protestuar sot kundër një ndërtimi në territorin e fidanishtes së këtij institucioni. Nga dita e djeshme, një pjesë e fidanishtes së UBT-së është rrethuar dhe pedagogëve u është thënë se do të bëhet ndërtim.

Dekani i Fakultetit Ekonomik dhe të Agrobiznesit në UBT ka thënë se aty Bashkia e Tiranës do të ndërtojë një shkollë, por stafi akademik dhe administrativ i universitetit nuk është informuar. Ai është shprehur se ndërtimi i shkollës pikërisht në atë zonë, bie ndesh me planin e prezantuar pak kohë më parë nga kryeministri për zhvillimin e Universitetit Bujqësor.

“Kryeministri na pati premtuar neve se do t’i blejë këto prona që iu kishte dalë pronari dhe do na i kalonte neve që ta modernizonim fidanishten, por tani mësojmë që ia ka kaluar Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës e ka marrë pronën më 1 Prill”, është shprehur ai.

Jamarbër Malltezi, i cili është pedagog në UBT ka thënë se nuk ka asnjë informacion për ndërtimin që do të kryhet.

“Fillimisht ajo është tokë ende në pronësi të universitetit bujqësor dhe UBT ka një masterplan, dhe ajo toke është e projektuar për fidanishte. Nuk ka asnjë tabelë që informon për godinën që do të ndërtohet, se kush po e ndërton, nuk është respektuar asnjë procedurë”, ka thënë ai.

Kjo ka nxitur reagimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili thotë se PD ka degjeneruar pasi po proteston për ndërtimin e një shkolle të re në Kodër Kamëz.

“Ty or çun të dhëntë Zoti jetë sa më të gjatë që ta shkatërrosh gjer në fund partinë e vjehrrit tënd! Që do e degjeneroje PD-në të protestonte shkollën 9-vjeçare të Kodër Kamzës në tokë private e jo zaptimet e basteve në UBT, nuk e kishte ëndërruar asnjë socialist! Jepi gaz!”, shkruan Veliaj pas deklaratave të Malltezit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *