Te Gjitha, Tech

“10 years challenge”, ekspertët: Kujdes! Po ju mbledhin të dhënat

Në mënyrë të shpejtë po përjetojmë ndryshimet më të mëdha të ndodhura në historinë e njerëzimit përsa i përket fushës së teknologjisë, por jo vetëm. Këto ndryshime filluan me përdorimin e kompjuterëve dhe sot jetojmë në një shoqëri moderne të digjitalizuar. Një ndër gjërat më të mëdha që hasim në shoqëri kohët e fundit është përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale.

Ditëve të fundit është vënë re një trend i ri në rrjetet sociale, ku njerëzit tregojnë fotografinë e tyre përpara dhe pas 10 vjetëve. Kjo lojë që kryesisht po zhvillohet në Facebook dhe Instagram, është bërë virale thuajse tek të gjithë. Në varësi të kësaj ka pasur edhe reagime nga ekspertë të teknologjisë dhe informacionit, të cilët akuzojnë autorët e rrjeteve sociale se ky trend i ri është një mënyrë e re për të mbledhur edhe më shumë të dhëna të reja për përdoruesit.

Kate O’Neill, eksperte e teknologjisë së informacionit, shprehet se “10 years challenge” apo në shqip “10 vjet sfidë” është thjesht një justifikim shumë efektiv për të mbledhur të dhëna se si kanë ndryshuar tiparet e fytyrës gjatë viteve.

“Për të kuptuar se si ka ndryshuar fytyra juaj ndër vite duhet një alogaritëm që përcakton kohën e fotografisë që ju postoni. Nuk e keni pyetur ndonjëherë veten, pse është një numër i caktuar vitesh?” thotë ajo.
Tani për tani askush nuk mund të thotë nëse janë të vërteta dyshimet e ekspertes dhe autorët e Faceebok kanë mohuar kategorikisht mendimin e saj. Sipas tyre, sfida është krijuar nga përdoruesit në mënyrë autonome dhe më pas u përhap për të gjithë.
Në thelbin e saj, “10 vjet sfidë” është një mënyrë për të treguar ndryshimet që njerëzit kanë pësuar me kalimin e viteve. Asnjë nga këto nuk është veçanërisht e re, pasi sfida të ngjashme janë përhapur edhe më parë në rrjete sociale. Kjo metodë më së shumti u përdor nga të famshmit, për të treguar arritjet e tyre me kalimin e viteve.

Por a i cenojnë këto metoda të dhënat personale të individëve?
Eksperti i teknologjisë së informacionit Engjëll Raklli thotë për Gazetën “Si” se kjo është thjesht diçka argëtuese e krijuar nga rrjetet sociale ose nga përdoruesit e tyre. “Të dhënat personale të individëve janë transparente kudo. Nuk besoj se “10 years challange” është një lojë e cila ka synim të grumbullojë më shumë të dhëna. Nëse korporata të mëdha, autorët e rrjeteve sociale, apo kushdo tjetër do të duan të zbulojnë të dhënat, mundet t’i verifikojnë lehtësisht. Kështu që besoj se nuk ka nevojë për sfida të tilla,” shtoi Rraklli.

Përhapja e mjeteve të reja teknologjike të cilat janë shumë të përparuara kanë krijuar mundësitë për mbledhje të pafund informacionesh, kështu që mund të themi se jetojmë në kohën e të dhënave të mëdha. Çështja e mbrojtjes së të dhënave personale vazhdon të jetë ende kryefjalë e diskutimeve të shumë studiuesve dhe ekspertëve të shoqërisë. Ndoshta e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale nuk ka si qëllim të saj pengimin e përpunimit të të dhënave. Për këtë arsye, kjo temë është e diskutuar gjithandej. Njerëzit përgjithësisht kërkojnë të jenë të mbrojtur kudo, por nga ana tjetër janë ata që tregojnë aq më shumë për veten me anë të rrjeteve sociale. Ka shumë raste kur të dhënat personale të personave janë cenuar dhe shoqëria këtë fenomen e quan “sulm kibernetik”.

Në fillim të vitit 2018, Facebook u cilësua si rrjeti më i popullarizuar për abuzimin dhe vjedhjen e të dhënave, por fatkeqësisht kjo u bë pjesë e një trendi afatgjatë, pasi gjatë gjithë kohës ky rrjet social është një objektiv kryesor për vjedhjen e të dhënave personale të përdoruesve. Të gjithë njerëzit, ashtu siç janë të përfshirë në rrjetet sociale, janë edhe të rrezikuar nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre.
Por, çfarë kemi në dorë të bëjmë në mënyrë që privatësia jonë të mos dhunohet në këtë mënyrë? Shumë pak gjëra mund të bëhen. Vetëm ndjekja e disa rregullave bazë që limitojnë gjurmët digjitale, mund të ndryshojë diçka.
Rrjetet sociale mbijetojnë me profilet tona, pasi çdo lëvizje që ne bëjmë regjistrohet dhe përdoret për publicitet. Në rastin e Facebook për shembull, çdo klikim dhe pëlqim arkivohet në mënyrë që të përdoret për reklama. Prej vitesh, rrjetet sociale kanë vendosur limite në lidhje me privatësinë ku çdo përdorues ka të drejtë të zgjedhë opsione të ndryshme në lidhje me çfarë ka dëshirë të bëjë publike e çfarë jo. Këshillohet të zgjidhen sa më pak opsione që lejojnë aktivitetet të jenë publike. Gjithashtu, duhet të lexojmë të gjithë atributet e faqeve online kur kryejmë një veprim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *