Kryesore, Pushteti, Te Gjitha

Meta shkon më tej, kërkon Komision Hetimor Parlamentar për Cakajn

Pas refuzimit për të dekretuar Gent Cakajn në postin e Ministrit të Brendshë, Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka ndërmarrë një hap më tej këtë të premte.

Përmes një shkrese zyrtare, drejtuar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, Presidenti Meta kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar dhe verifikuar veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Kërkesa e Metës ka të bëjë me mungesën e pajisjes me çertifikatë sigurie për Cakajn gjatë gjithë kohës që ai ka qenë zv/Ministër, si dhe mbi të gjitha pajisja për 24 orë e tij në fillim të muajit Janar, fill pas emërimit të tij si Ministër i Jashtëm.

Sipas Presidentit Meta, Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet të vlerësojë kryerjen e një hetimi administrativ të DSIK, pasi në të kundërt cënohet serioziteti dhe besueshmëria e vendit tonë përpara partnerëve strategjikë.

“Presidenti i Republikës, i kërkon deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të vlerësojnë këto konstatime, me qëllim ngritjen sipas ligjit, të një Komisioni Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë, për hetimin e veprimtarisë së institucionit të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar mbi procesin e pajisjes me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.” shkruan mes të tjerave Meta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *