Kryesore, Pushteti, Te Gjitha

Argumentat e Metës/ Genti Cakaj jo vetëm nuk bëhet Ministër, por rrezikon burgun!

Përtej mungesës së përvojës apo deklaratave të rrezikshme për kufijtë mes Kosovës e Serbisë, Presidenti Ilir Meta në argumentat për refuzimin e kandidaturës së Genti Cakajt ka deklaruar se ky i fundit ka mbajtur poste në Ministrinë e Jashtme pa patur një çertifikatë sigurie.

Por çfarë do të thotë të punosh në Ministrinë e Jashtme si zv.Ministër dhe të mos kesh çertifikatë sigurie?

Mospasja e një çertifikate sigurie në një institucion ku qarkullojnë dhjetëra informacione të klasifikuara e të një rëndësie të veçantë do të thotë se personi që nuk ka ndërrmarrë hapa të tillë ligjorë, atëherë do të dënohet po sipas ligjit.

Dhe Presidenti Meta e ka rreshtuar si një ndër argumentat ligjorë këtë fakt në letrën drejtuar Ramës për mosdekretimin e Genti Cakajt.

“Z.Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror. 

Konkretisht z. Gent Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me çertifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar.                                        Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.”-shkruan Meta.

Presidenti shkon më tutje duke thënë se Genti Cakaj e ka pltësuar formularin e aplikimit vetëm tre ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër i Jashtëm.

“Sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK, z. Gent Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më datë 03 janar 2019 (3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ).     

 Z. Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.

Gjithashtu me mosplotësimin e formularit të sigurisë në kohën e kërkuar, ai ka penguar verifikimin e sigurisë për këtë periudhë, pasi sipas nenit 12 të Rregullores së Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr.188, datë 04.03.2015, ku parashikohet se verifikimi i sigurisë fillon vetëm pasi individi aplikues ka pranuar dhe ka dhënë pëlqimin me shkrim, pavarësisht se funksioni dhe detyra që ai ka ushtruar e kishte të domosdoshme dhe të detyrueshme nevojën për njohje me informacion të klasifikuar. 

Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.”-sqaron Meta.

Madje sipas informacioneve të marra nga Presidenca, rezulton se dhe puna e kryer për verifikimin e figurës dhe të kaluarës së Cakajt ka qenë e përciptë. Meta kujton se Genti Cakaj ka jetuar prej kohësh në Hungari e Belgjikë, atje ku ka krer dhe studime. Sipas Presidentit DSIK nuk ka kryer asnjë analizë apo kontroll të thelluar mbi jetën e Cakajt, por ja ka dhënë çertifikatën e sigurisë brenda ditës.

“Z. Gent Cakaj, mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë. 

Referuar këtyre të dhënave, si dhe atyre që kërkohen dhe pasqyrohen të detyrueshme për deklarim në pyetësorin e sigurisë në aplikim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka për detyrë që në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”,  të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës. Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”. Gjithashtu në detyrën si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe si kandidaturë e propozuar nga Kryeministri për pozicionin e ministrit të MEPJ, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë z. Gent Cakaj.

Ndërkohë, nga informacioni i administruar rezulton se i gjithë procesi për verifikimin dhe vlerësimin e sigurisë për të përcaktuar nëse z. Gent Cakaj, është një individ besnik, i besueshëm dhe i sigurt që vërteton nga pikëpamja e sigurisë se ai i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar, është realizuar në më pak se 24 orë. 

Ky veprim tregon qartë se procesi i verifikimit, nuk është kryer i plotë, nuk është objektiv, por i ndërmarrë vetëm për përmbushjen proceduriale (jo përmbajtësore)  të informacioneve shtesë që do të mund të kërkonte Presidenti i Republikës në funksion të verifikimit kushtetues për shkak të procesit të emërimit të këtij shtetasi në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.”-thotë Meta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *