Kryesore, Pushteti

Meta dhe Kryemadhi “thikë” studentëve/ Si votuan ligjin për arsimin e lartë

Studentët e Universiteteve publike në Shqipëri kanë hyrë sot në ditën e tretë të protestës, kundër tarifave studimore.

Ndërkohë që dje dhe sot studentët janë tubuar para ministrisë së Arsimit, duke e vënë me shpatulla pas muri ministren Lindita Nikolla, ka reaguar edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi teksa shkruan se të rinjtë meritojnë respekt dhe mirënjohje, ka thënë se politika duhet të mësojë prej tyre.

“BRAVO! Ju meritoni të jetoni të lumtur në Shqipëri. Politika duhet të mësojë prej jush. Respekt dhe mirënjohje”,- shkruan kryemadhi.

Por, ndërkohë në lidhje me protestën ka reaguar edhe ish-kreu i LSI-së, aktualisht president i Republikës, Ilir Meta.

Në një deklaratë për mediat, presidenti Meta bënte thirrje për dialog dhe përgjegjshmëri.

“Duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavaresisht mundësive të tyre financiare. Rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve” thuhej ndër të tjera në njoftimin e Presidencës.

Jemi plotësisht dakort me ato që thonë edhe Kryemadhi edhe Meta, por ka edhe një detaj.

Monika Kryemadhi dhe LSI-ja janë partia që së bashku me Rilindjen miratuan ligjin e arsimit të lartë.

Pra, përtej asaj që thotë sot publikisht Monika Kryemadhi, le të kthehemi në kohë, rreth katër vite më parë, kur LSI-ja ishte në qeveri dhe në atë kohë ligji po suportohej fort nga universitetet private dhe kryesisht Henri Çili, i cili bëri dhe avokatinë e tij në publik. Dhe kur ky ligj është kaluar në parlament, është kaluar me votat e PS-së dhe të LSI-së.

Pra, LSI-ja ka qënë pjesë thelbësore e rritjes së tarifave studentore dhe reformës në arsimin e lartë dhe e ka mbështetur atë.

Ndërkohë, edhe presidenti ka kërkuar që palët të ulen dhe ta diskutojnë por, ishte ky Ilir Metë, që ishte kryetar Kuvendi, ishte ky Ilir Metë që ishte në krye të LSI-së dhe që firmosi marrëveshje me Edi Ramën, ishte ky Ilir Metë që qeverisi me të për katër vite dhe votoi ligjin për arsimin e lartë.

Nëse LSI-ja do të ishte kundër, ai ligj do të kishte rënë, sepse nuk kishte votat e mjaftueshme. Pra, ishin vetë Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta që u dhanë një “thikë” pas shpine studentëve, janë po aq fajtorë sa Edi Rama, ndërsa tani bëjnë sikur i mbështesin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *