Unë shkruaj

Ky plehrë shtet është vrasës më i madh

Nga Ergys Mertiri*

Një ngjarje tronditëse e dëshmuar në një dokumentar të guximshëm nga Aulon Kalaja.

I riu Pëllumb Marnikollaj, vritet nga policia greke pas torturave çnjerëzore në rajonin e policisë, ku ishte i detyruar të paraqitej here pas here, deri në përfundim të një hetimit që po e nxirrte të pafajshëm. Më pas i bëhet një autopsi e rreme dhe trupi, pasi mbahet i fshehur në morgun e një spitali dërgohet për t’u varrosur si anonim në një varrezë 40 km larg Athinës.

Familja shqetësohet, shkon të kërkojë djalin, por ndeshet kudo me fshehjen e informacionit, ndërsa të gjithë avokatët tërhiqen nga cështja. Ata arrijnë ta gjejnë trupin në varrezë, pak momente para se të varrosej, fare rastësisht, falë një ndihme të dhënë nga një punonjës në morgun e spitalit.

Në ngjarje janë përfshirë strukturat e policisë, avokatë, prokurorë dhe një sërë hallkash, të cilat bashkëpunojnë në krim, së bashku me Ambasadën Shqiptare në Athinë, e cila, jo vetëm nuk ka vepruar, por ka fshehur ngjarjen duke mos i treguar familjes. Pas skandalit të plasur në media, prokuroria hap dosjen e hetimit, por ka dy vjet që nuk ka lëvizur as gishtin, duke e lënë ngjarjen të harrohet.

Më shumë sesa dramën e tmerrshme të një familjeje, dhe harbutërinë e një shteti fqinj si ai grek, dokumentari tregon sesa i qelbur e i mbaruar është shteti ynë. Ambasada nuk jep asnjë llogari për fshehjen e krimit, duke e lënë familjen edhe pa trupin e të afërmit të vet, ndërkohë që më pas nuk lëviz as gishtin për t’i kërkuar prokurorisë greke informacion mbi hetimet apo të shtyjë institucionet greke të avancojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Po të njëjtën gjë bën edhe Ministria e Jashtme. Ndërkohë që e gjithë Greqia u ngrit në këmbë për vrasjen e një minoritari, lindur e rritur në Shqipëri, i vrarë në shkëmbim zjarri me policinë, shteti shqiptar nuk luan as gishtin kur shtetasit e tij vriten në rajonin e policisë, pa kryer asnjë krim.

Ky plehrë shtet është vrasës më i madh dhe më i ndyrë sesa urrejtja racore e policëve grekë. Për tu shënuar është edhe fakti që vetë grekët u ngritën në protestë kundër shtetit të tyre në rastin e Markolajt dhe protesta e organizuar në Athinë, kishte shumë më tepër pjesëmarrës sesa protesta e organizuar në Tiranë për të.

Fatkeqësisht duket se jetën e shqiptarit e vlerësojnë më shumë grekët sesa vetë shqiptarët!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *