Globi

“Jelekverdhët”, fitore absolute. Rritja e taksës hiqet nga buxheti i 2019-s

Rritja e parashikuar e taksave të karburanteve, që shkaktoi protesta javore të dhunshme në Francë, tashmë është hequr nga projektligji për buxhetin e vitit 2019.
Zhvillimi i fundit është njoftuar nga vet kryeministri Edouard Philippe, i cili vetëm një ditë më parë kishte premtuar në fakt se do ta shtynte hyrjen në fuqi të ligjit me 6 muaj, nga 1 janari që ishte parashikuar.

Protestat e “jelekëve të verdhë” (gilets jaunes) prekën thuajse të gjitha qytetet kryesore franceze përgjatë tri fundjavave të fundit, ndërsa në plan janë për t’u mbajtur demonstrata të tjera këtë fundjavë. Ajo që nisi fillimisht si kundërshtim i taksës së naftës, u transformua shumë shpejt në pakënaqësi më e gjerë ndaj politikave qeveritare, e veçanërisht kundër presidentit Macron.

“Jelekverdhët” u quajtën të tillë për shkak se mbanin veshur jelekët e verdhë fosforeshentë që janë të detyrueshme me ligj për t’u mbajtur në çdo automjet. Që prej nisjes së trazirave kanë humbur jetën 4 persona, ndërsa dhuna dhe vandalizmat u shtrinë në një masë të paparë prej vitesh në Francë, e sigurisht edhe u dënuan nga masa e gjerë.

Në fakt, kryeministri Philippe tha të martën se rritja e planifikuar e taksës së karbonit te karburantet, që duhej të hynte në fuqi nga 1 janari i 2019-s, do të pezullohej për 6 muaj për të lejuar zhvillimin e konsultave me grupet e interesit. Ai njoftoi gjithashtu se edhe rritja e planifikuar e çmimeve të gazit dhe energjisë gjatë këtij dimri nuk do të zbatohej, sikurse edhe forcimi i rregullave për testet e emetimit të gazrave nga automjetet do të shtyhej.

Por, të mërkurën, Philippe tha përpara deputetëve të dhomës së ulët të Parlamentit se “qeveria është e gatshme për dialog, pasi rritja e taksës është hequr tashmë nga projektbuxheti për 2019-n”.

Kjo është një tërheqje domethënëse nga qeveria e presidentit Macron, i cili kishte argumentuar më herët se këto masa ishin të domosdoshme për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të përmbushur objektivat për reduktimin e deficitit buxhetor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *