Sport, Te Gjitha

Ronaldo apo Icardi? Shifrat e dy “vrasësve” të Serisë A

Juventus-Inter, supersfida që çel javën e 15 të Serisë A (luhet të premten), është edhe një përballje mes dy simboleve të të dyja skuadrave, Cristiano Ronaldos dhe Mauro Icardit.

Në letër, një duel i pakrahasueshëm.

Nga njëra anë CR7, që ka në palmaresin e tij plot 26 trofe të fituar me klubet, plus 5 Topa të Artë, si dhe titullin kampion Europe me Portugalinë, përballë tij Maurito, ende në kuotën e zero titujve, sikurse do të shprehej Mourinho.

Gjithsesi, ajo që do të pushtojë skenën e “Allianz Stadium” është një përballje e mundur. Mbi të gjitha, duke iu referuar statistikave të këtij sezoni, hendeku ekzistues është “zhdukur”, si në Serinë A ashtu edhe në Champions.

Një krahasim ndoshta i pavend mes dy “yjeve”, që kurrë nuk janë përplasur në fushën e blertë me njëri-tjetrin në ndeshjet zyrtare, as në nivel klubesh e as me përfaqësueset respektive.

Por çfarë e bën të mundur këtë sfidë brenda sfidës? Vetëm golat. Në këtë kampionat, portugezi ka shënuar 10 gola në 14 ndeshje, ndërsa Icardi e ka gjetur rrugën e rrjetës në 8 nga 11 takimet ku është aktivizuar. Kanë realizuar respektivisht 32% dhe 30% të golave të Juventusit dhe Interit në Serinë A.

Nëse shtojmë edhe golat e Championsit, atëherë ish-sulmuesi i Realit të Madridit shkon në kuotën e 11 finalizimeve në 18 takime, ndërsa ish-i i Sampdorias 11 në 16 përballje. Ronaldos i janë dashur mesatarisht 141 minuta lojë për çdo gol, ndërsa Icardit 119 minuta. Më e ndjeshme është diferenca sa u përket asisteve; Ronaldo ka shërbyer 6 herë për gol, ndërsa Icardi në dy 2 raste.

Nëse krahasimi shtrihet përgjatë gjithë karrierës, hendeku është shumë i madh në favor të Ronaldos dhe kjo jo vetëm për faktin se është 33 vjeç ndërsa Icardi vetëm 25.

Portugezi ka shënuar në rang klubesh 584 gola në 779 ndeshje, ndërsa argjentinasi 129 në 231 takime: mesatarja për CR7 është 0.75 gola për ndeshje, e sulmuesit zikaltër 0.56.

Pas dy ditësh, gjithsesi, do të nisen nga zeroja dhe nëse Ronaldo kundër Interit ka realizuar vetëm një gol kur luante me Manchester United (11 mars 2009, në Champions), Icardi e ka “Zonjën e Vjetër” një nga dy “viktimat” e tij të preferuara (i ka shënuar 8 herë me fanellën e Sampdorias dhe Interi).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *