Kryesore, Ndodhi sot, Te Gjitha

Anketimi: 64% e banorëve të Sharrës kundër inceneratorit, të gatshëm për protesta

 

Ola Mitre- Pavarësisht se kishte kaluar rreth një vit nga nënshkrimi i kontratës koncesionare, rreth 60 % e banorëve në zonën e Sharrës në Tiranë nuk ishin në dijeni se në afërsi të banesave të tyre do të ndërtohej një incenerator”. Rezultatet i takojnë një anketimi të kryer me 300 banorë të zonës, realizuar nga qendra “EDEN” në periudhën maj-korrik 2018, i cili kishte në fokus transparencën në vendimmarrje për ndërtimin e këtij impianti, nivelin e informimit të banorëve si dhe pjesëmarrjen e publikut në këtë proces. Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se pjesa dërrmuese e banorëve që ishin në dijeni të projektit, thanë se ishin informuar përmes televizorit apo nga biseda me banorët e tjerë. Kjo, pavarësisht faktit se detyrimin ligjor për informimin e publikut e ka zhvilluesi i projektit, që në këtë rast është kompania “Integrated Energy BV. SPV” sh.p.k., në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe autoritetet vendore. Në fakt, pas këtij anketimi, kompania koncesionare organizoi një dëgjesë me publikun në datën 28 shtator në ambientet e projektit dhe një dëgjesë të dytë në 8 tetor 2018 në qendër të qytetit të Tiranës, si një detyrim ligjor për hartimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Por, këto dëgjesa u cilësuan si fiktive nga përfaqësuesit e shoqërisë civile për shkak të gjuhës së përdorur për të shpjeguar projektin për ndërtimin e incenertaorit. Sipas tyre, “projekte të tilla janë shumë komplekse, jo vetëm për banorët, por dhe për ekspertët, ndaj duhen sqarime sa më të thjeshtuara në mënyrë që të kuptohen nga të gjithë”. Por, në kundërshtim me këtë parim, prezantimet në dëgjesë u konsideruan të pakuptueshme, ndërkohë që edhe kur u përpoqën që të shprehnin shqetësimet e tyre, asnjë prej banorëve pjesëmarrës në takim nuk arriti të merrte përgjigje. Përgjigje nuk morën as përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kërkuan informacion në lidhje me ndotjen e ajrit, tokës apo ujërave, çka nënkupton që edhe banorët prezentë nuk dinë se çfarë pritet të sjellë kjo metodë e trajtimit të mbetjeve.

Inceneratori i Tiranës, si po mashtrohet me dëgjesat publike

Në fakt, rreth 63.7% e të anketuarve nga qendra ‘EDEN’ janë shprehur kundër incenerimit, ndërsa arsyet për këtë qëndrim lidhen pikërisht me mendimin se incineratori ndot ajrin me tymra dhe gazra, se shkakton ndotje dhe është i dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Por, ky mendim do të mbetet i pandryshuar përsa kohë raportet e paraqitura në dëgjesën e shtatorit u cilësuan si tejet teknike. Paralelisht, të dhënat e anketimit flasin për vetëm rreth 19% të banorëve të anketuar, të cilët janë dakord që mbetjet bashkiake të Tiranës të trajtohen përmes incineratorit, ndërsa rreth 64% e të anketuarve deklarojnë se nuk janë dakord me këtë alternativë dhe se nëse do të organizohej ndonjë protestë paqësore kundër ndërtimit të incineratorit, shumica e tyre do të ishin të gatshëm t`i bashkoheshin kësaj proteste.


DJEGIE APO RICIKLIM?
Në përgjithësi, banorët e Sharrës janë të dyzuar mbi qëndrimin nëse incenerimi është një metodë më e mirë sesa depozitimi i mbetjeve. 36.3% e tyre e shikojnë si një metodë më të mirë, ndërsa 35% e tyre thonë të kundërtën. Nga ana tjetër, 51.2% e të anketuarve thonë se ka metoda të tjera që duhen konsidruar përpara djegies së mbetjeve. Në fakt, edhe Tendencat Evropiane për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, e rendisin të fundit incenerimin e mbetjeve. Politika për menaxhimin e mbetjeve në Bashkimin Evropian synon zvogëlimin e ndikimit të mbetjeve në shëndet dhe mjedis si dhe përmirësimin e eficencës në përdorimin e burimeve. Synimi në termat afatgjatë është të zvogëlohet sasia e mbetjeve të prodhuara dhe kur prodhimi i mbetjeve është i pashmangshëm, ato të trajtohen si burime duke synuar një nivel sa më të lartë riciklimi dhe më pas trajtimit të sigurt. Kështu, programi i 6-të Evropian i Veprimit për Mjedisin përcaktoi shmangien e prodhimit të mbetjeve dhe menaxhimin e tyre, si një nga katër prioritetet kryesore. Ndërkohë që Strategjia Tematike për Parandalimin e Prodhimit të Mbetjeve dhe Riciklimin e hartuar në vitin 2005, e cila përbën dhe themelin e politikës së BE për mbetjet, bëri që në vitin 2008 të rishikohet Direktiva Kuadër për Mbetjet. Kjo Direktivë si dhe Direktivat e tjera specifike janë rishikuar në dritën e Paketës së Ekonomisë Qarkulluese, duke mbetur e fokusuar në parandalimin e prodhimit të mbetjeve si dhe duke vendosur objektiva dhe tregues të synuar, të cilat do të ndihmojnë vendet e BE-së për t’u zhvendosur drejt një “shoqërie ricikluese”, apo ndryshe drejt një “ekonomie qarkulluese”. Gjithashtu, Direktiva paraqiti për herë të parë hiearkinë e mbetjeve: ku mundësia më e dëshiruar për trajtimin e mbetjeve është shmangia dhe ajo më e padëshirueshmi është groposja e tyre. Në fakt, edhe ligji shqiptar “Për menaxhimine integruar të mbetjeve”, në përgjithësi ka transpozuar Direktivën, çka kërkon që mbetjet në Shqipëri duhet të menaxhohen sipas hierarkisë së saj e më konkretisht: Parandalimit, ripërdorimit, riciklimit; rikuperimit dhe në fund asgjesimi apo thënë ndryshe djegia e tyre. Në këto kushte, për mbetjet e Tiranës është zgjedhur hallka e fundit e hierarkisë, ndonëse industria e riciklimit në vendin tonë është e zhvilluar dhe aktive. Sipas ekspertëve, kjo industri, është një nga aktorët më të rëndësishëm në menaxhimin e mbetjeve, dhe riciklimi në vetvete është ndoshta elementi më thelbësor dhe forma më e njohur për zvogëlimin e mbetjeve që zhvillohet nëpërmjet një zinxhiri procesesh duke përfshirë ndarjen në burim, grumbullimin e diferencuar, selektimi dhe procesimi, që çon në zvogëlimin e një sasie të konsiderueshme të mbetjeve që depozitohen në landfill. Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë raporton se ka rreth 38 anëtarë, përndryshe kompani private riciklimi, të cilat operojnë në Shqipëri. Po nga kjo shoqatë raportohet se vlera e tregut e investimeve të kësaj industrie arrin në rreth 234.2 milionë Euro. Kapaciteti përpunues i këtyre kompanive është rreth rreth 498,480 ton/vit, i cili është mëse i mjaftueshëm për të përpunuar të gjitha mbetjet e riciklueshme që gjenerohen në vend, nëse teorikisht supozohet se grumbullimi i diferencuar dhe rikuperimi i tyre nga mbetjet e tjera mund realizohet në një përqindje shumë të lartë. Në vitin 2016, INSTAT raporton se në Shqipëri janë ricikluar rreth 224,115 ton/vit apo 17 % e totalit të mbetjeve të ngurta urbane. Sic raportohet nga SHRSH, për shkak të mungesës së lëndës së parë, kjo industri ka angazhuar vetëm 26.8 % të kapacitetit prodhues. Paralelisht, ministria përgjegjëse për mjedisin ka bërë publike një listë, e cila tregon se numri i operatorëve privatë të licensuar dhe të pajisur me leje mjedisore për të punuar në sektorin e riciklimit është edhe më i lartë, duke shkuar në 57, përfshirë edhe antarët e SHSHR-së. Ndërkaq, vetë ricikluesit kanë deklaruar publikisht se ndërtimi i inceneratorëve “fundos” këtë industri, ndërsa disa prej tyre kanë nisur të zhvendosen drejt Maqedonisë që ofron një paketë fiskale shumë më favorizuese për këtë lloj aktiviteti. Edhe në këndvështimin e 42.7% të banorëve të anketuar në zonën e Sharrës, ndërtimi i inceneratorit nuk do të rrisë nivelin e riciklimit, ndërsa vetëm 22.7% thonë se riciklimi do të rritet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *