Kryesore, Ndodhi sot, Te Gjitha

Ndarja e mbetjeve për riciklim, 2000 biznese në Tiranë bëhen pjesë e programit

Ola Mitre-Ajo është 23 vjeç, por aktualisht po mëson të shkruajë shkronjën ‘ë’. Deizin e gjejmë në Qendrën Komunitare Multifunksionale në Shkozë, të cilën e frekuenton prej pak muajsh, duke ndarë kohën mes punës dhe familjes së saj. “Kam ardhur të mësoj të shkruaj. Unë u bëra nënë shumë e re dhe kam 3 vajza: njërën 8 vjeç, njërën e çoj në parashkallor dhe tjetrën 2 vjeç. Rrethanat më detyruan ta lija shkollën. Vij këtu që të mësoj të shkruaj dhe për të bërë diçka ndryshe”,-thotë Deizi, teksa herë pas here hedh sytë nga fletorja ku shkruan. Frekuentimi i qendrës është një prej ndryshimeve në jetën e saj, duke qenë se rreth 2 muaj më parë ajo arriti të punësohet pranë kompanisë ECO Tirana.

Punësimi i 23-vjeçares u mundësua pas një marrëveshjeje të nënshkurar mes kësaj kompanie, Bashkisë së Tiranës dhe PNUD, ku ndër të tjera parashikohej zhvillimi dhe zbatimi i programit tranzitor të ricikluesve nëpërmjet formalizimit të riciklimit të mbetjeve në territorin e Bashkisë së Tiranës. Deizi nuk është e vetmja që ka përfituar nga ky program, pasi në total janë të paktën 50 individë, të cilët më parë jetonin me të ardhurat që siguronin nga mbledhja joformale e mbetjeve. Ky është një program pilot, i cili synon të lehtësojë tranzicionin në procesin e formalizimit të riciklimit të mbetjeve, duke u fokusuar në të njejtën kohë në integrimin social të romëve dhe egjiptianëve dhe familjeve të tyre. Ndërkaq, ai duket se është përkrahur edhe nga bizneset e kryeqytetit, të cilët kanë vendosur të bashkëpunojnë. “Janë rreth 2000 biznese në zonën qendrore të Tiranës, të cilët na janë bashkuar, duke ndarë mbetjet e tyre që në burim. Të punësuarit nga programi bëjnë çdo ditë shpërndarjen e qeseve të veçanta pranë këtyre bizneseve, ndërkohë që ata kujdesen që t’i ndajnë sipas llojit”,-bën me dije Elsa Zhega, drejtuese e programit të riciklimit. “Sigurisht që në fillim ka qenë tejet e vështirë për të krijuar këtë bashkëpunim, por gjithsesi ne synojmë që të zgjerojmë edhe më tej numrin e bizneseve”,-shton Zhega.

PROGRAMI

Prej muajit prill, kuR u nënshkrua edhe marrëveshja, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Eco Tiranës dhe projektit “Fuqizim Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët-shtysë për përfshirjen sociale”, personave të përfshirë në këtë program u ofrohen trajnime mbi etikën në punë, mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave dhe çështje të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e punës. Ndërkohë që, për të promovuar arsimin dhe aksesin në shërbime sociale mbështetja shtrihet gjithashtu tek familjet e ricikluesve. Ricikluesit dhe anëtarët e familjeve së tyre ndjekin njëkohësisht kurse bazë të aftësive jetësore, kurse trajnimi profesional ose forma të tjera të përmirësimit të aftësive profesionale dhe kompetencave personale, për të siguruar në plan afat të gjatë integrimin e tyre të qëndrueshëm në tregun e punës dhe në shoqëri. Ky program pilot do të mbështetet për 8 muaj nga projekti “Fuqizim Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët-shtysë për përfshirjen sociale” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të vazhduar pas këtij afati nga Bashkia e Tiranës.

Falë zbatimit të tij, deri më tani 156 Individë Romë dhe Egjiptianë janë pajisur me karta shëndetësore & në regjistrimin dhe hapjen e kartelave të reja pranë qendrave shëndetësore; 120 Fëmijë janë regjistruar në çerdhe, kopshte dhe shkolla dhe asistuar të frekuentojnë rregullisht klasat; 111 anëtarë të këtij komuniteti janë punësuar, ndërsa 18 individë janë regjistruar dhe kanë përfunduar kurse profesionale. Gjitahshtu, 7 familje janë mbështetur në ngritjen e një biznesi për gjenerim të ardhurash, 36 vetë janë pajisur me karta identiteti, ndërsa 34 të tjerë janë pajisur me certifikata personale dhe familjare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *