Pazar, Te Gjitha

Si e bleu shtëpinë nga drejtori i postës ambasadorja e BE

A di të na thotë Romana Vlahutin se përse njeriu të cilit ajo i bleu vilën me katërfishin e çmimit u emërua drejtor i përgjithshëm i Postës Shqiptare? Biznismeni Laert Duro, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti në Qarkun e Gjirokastrës, njëherësh edhe njeriu të cilit shefja e Misionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, i bleu me katërfishin e çmimit të tregut vilën në lagjen rezidenciale “Rolling Hills” (te TEG) është emëruar nga Kryeministri Rama drejtor i përgjithshëm i Postës Shqiptare. Blerja e vilës me çmim të katërfishtë (1.64 milion euro) ishte një mënyrë që Vlahutin, e cila kreu blerjen në emër të BE, të nxirrte në bashkëpunim me shitësin një fitim abuzues për veten e saj në masën 1.2 milion euro.
Edi Rama e ka etiketuar Postën Shqiptare si një nga institucionet e “tepsisë” që i kishte LSI dhe që kanë degraduar keq. Dhe për të rregulluar gjendjen në këtë institucion Rama emëroi atje si drejtues një biznismen, pronarin e resort Palmanovës! Ose më saktë Laerti ia kërkoi Ramës drejtimin e Postës Shqiptare, si shpërblim për kontributin e tij në fitoren e 25 qershorit.
Çfarë interesi ka Laert Duro që në fushatën zgjedhore na u vetëparaqit si biznismen i suksesshëm, i cili nuk hyn në politikë për të bërë para, por për të punuar si deputet në dobi të zgjedhësve, që tani i shton halleve të veta si biznesmen edhe hallin për të rregulluar gjendjen në Postën Shqiptare? Çfarë risie do të sjellë Laerti në Postën Shqiptare? Duke pasur parasysh aferën “Vlahutin” mund të thuhet se Laerti si biznismen ka ide të sakta për atë sesi mund të bëhet fitimprurëse Posta Shqiptare, me qarkullim malli që është në bazë të suksesit të Laertit si biznismen dhe të resortit Vilanova.
Gjithsesi, në emërimin e Laert Duros si drejtor i Postës Shqiptare ka ndikuar edhe fakti që ai bëri operacionin financiar për t’ i mundësuar Romana Vlahutinit që të fitonte abuzivisht 1.2 milion euro. Tani del se kjo aferë ishte pjesë e shpërblimit që mori Romana nga qeveria që të heshtte për kanabisizimin e Shqipërisë. Dhe mund të merret me mend se çfarë malli do të qarkullojë me Postën Shqiptare./Kastriot Myftaraj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *